fbpx
Dieta Shqip

Forma e trupit dhe dieta!

Të ushqehesh sipas formës së trupit

Tipi i trupit të një personi reflekton atë që ndodh brenda tij. Tre tipat më klasike të trupit janë:

  • Ektomorf ose “banane” – trup i gjatë dhe i hollë
  • Mesomorf ose “dardhë” – trup mesatar dhe i ngjeshur
  • Endomorf ose “mollë” – trup i shkurtër dhe rrumbullak

Këta tre tipa të ndryshëm trupash djegin kalori dhe depozitojnë dhjam në mënyra të ndryshme. Mollët dhe dardhët i kanë “zili” bananet, sepse këto të fundit mund të hanë më shumë dhe të shëndoshen më pak. Madje duket se bananet kanë më shumë kontroll të oreksit. Këta tipa e kanë më të lehtë të refuzojnë një copë kek më shumë kur janë të ngopur, krahasuar me mollët dhe dardhët, të cilët janë më të prirur të konsumojnë diçka vetëm për neps e jo sepse janë të uritur. Madje bananet kane tendencë të lënë ushqim në pjatë. Tipat e trupit gjenetikisht të hollë, djegin më shumë kalori edhe kur flenë.

Ndërsa tipat e tjerë janë të prirur të depozitojnë dhjam. Bananet shpenzojnë më shumë kalori kur tresin ushqimin, kështu një pjesë e mirë e kalorive harxhohet pa u futur fare në qarkullim. Është si të thuash “t’i ha një herë, trupi yt ha dy herë”.

Vendosja e dhjamit dhe shpërndarja e tij në trup është e lidhur edhe me gjininë. Meshkujt anojnë më shumë nga molla duke qenë më të gjerë në mes dhe në kraharor, ndersa femrat anojnë nga dardha, pasi ato marrin më shumë gjerësi te vithet dhe kofshët. Është më e lehtë të humbësh peshë nga gjysma e sipërme e trupit, krahasuar me gjysmën e poshtme, kështu që mollët zakonisht kanë më shumë rezultat nga regjimi ushqimor sesa dardhët.
Ne nuk mund t’ia ndryshojmë tipin trupit, sikurse një mollë nuk mund të bëhet një dardhë apo një banane.

Edhe personat e gjatë dhe të hollë mund të shfaqin forma molle dhe dardhe nëse abuzojnë në vazhdimësi me ushqimin dhe nuk ushtrohen fizikisht. Por, sado strikt që dikush mund t’i qëndrojë një programi ushqimor për të rënë në peshë, një molle do të vazhdojë të jetë mollë dhe një dardhë gjithashtu do të vazhdojë të jetë dardhë. Lajmi i mire është se ju mund të jeni një mollë ose dardhë më e hollë.

Dieta sipas formës së trupit “mollë”

Duke njohur “tipin” e formës së trupit tuaj do të mundeni akoma më lehtë të gjeni mënyrën më të përshtatshme të ushqimit për një trup më të mirë!
Tipat “Mollë”

“Mollët” mbajnë dhjamë rreth mesit të tyre dhe zakonisht janë më të hollë në pjesën e poshtme të trupit. Dhjami i depozituar në zonën e barkut digjet më shpejt sesa dhjami në zonën e vitheve dhe tek kofshët. Një nga arsyet që mendohet është se dhjami i barkut është në njëfarë mënyre i lëvizshëm: atij i pëlqen të hyjë në qarkullimin e gjakut dhe të veshi organet duke ndikuar në funksionin e tyre. Dhjami i barkut vjen me disa kërcënime serioze për shëndetin, përfshirë këtu sëmundje të zemrës, diabet dhe kancer të gjirit.

Kjo ndodh sepse dhjami i barkut që vesh organet si pankreasi, veshkat dhe mëlçinë – shkakton ngritje kulmore të glicemisë ndërkohë që shfaqet rezistencë ndaj insulinës dhe inflamacion. Me fjalë të tjera, trupi juaj përballet me tepricë sheqeri në qarkullim ndërkohë që nuk është i aftë ta procesojë atë të gjithë.

Kjo është pika kyçe që çon në sëmundje kronike dhe mbipeshë. Pikërisht për këtë arsye është shumë e rëndësishme të ulni centimetrat e mesit. Lajmi i mirë është se mjaftojnë 5cm më pak në mesin tuaj dhe rreziku përgjysmohet.

Dieta e trupit “Mollë”

Kjo dietë është pak më e lartë në yndyra esenciale dhe e reduktuar në karbohidrate. Yndyrat e dobishme të arrave, avokados, vajit të ullirit, farave të kungullit, lirit dhe peshkut kanë efekt pozitiv kundër inflamacionit ndërkohë që rrisin aftësinë e trupit për të djegur yndyra. Karbohidratet, akoma edhe drithërat, rrisin insulinën në trup. Meqenëse “mollët” kanë predispozitë të kenë sheqer të lartë në gjak –shkak ky për shfaqje të diabetit dhe sëmundjeve të zemrës – duhet të marrin një sasi më të kufizuar karbohidratesh, përafërsisht 40% të kalorive ditore.

Kjo sasi për një dietë 1500 kalori është e barabartë me 600 kalori. Preferoni karbohidrate me fibra si fasule, fruta, zarzavate dhe drithëra të plota. Këto fibra ngadalësojnë tretjen e sheqerit dhe ulin nivelin e insulinës dhe kolesterolit.

Mbipesha e trupave në formë mollë, ka më shumë rrezik të shoqërohet me tension të lartë dhe yndyra të larta gjithashtu. Për këtë arsye duhet të merren mjaftueshëm nga dieta kalciumi, magnezi dhe kaliumi.

Ushqimi ditor

  • Bulmet: 2-3 racione në ditë bulmet me yndyrë të reduktuar, pa kripë
  • Fruta: 2 fruta në ditë me ngjyrë vishnje ose të kuqe dhe 1 frut nga grupi i agrumeve
  • Perime: Dy racione të bollshme perimesh të shpërndara në drekë dhe darkë, ku njëri prej tyre duhet të jetë patjetër me ngjyrë jeshile të theksuar, si spinaqi, rukola, pazite dhe pjesa tjetër kombinim midis familjes së kryqëzoreve (brokoli, lakrat, lulelakra), dhe ngjyrës portokalli.
  • Proteina: 150 – 200gr/ditë peshk të kaltër, mish të bardhë të shpendëve dhe jo më shpesh se 2 herë në muaj mish viçi pa dhjamë.
  • Legume: 1 kupë fasule, thjerrëza ose qiqra çdo ditë.
  • Fara dhe fruta të thatë: 30gr në ditë kombinim i: arrave të Brazilit, bajameve pa kripë, farave- të lirit, “chia”, të susamit, lulediellit dhe kungullit.
  • Brumra: jo më shumë se 250gr në ditë oriz integral, makarona integrale, kuinoa, bizele, patate + 1-2 feta bukë thekre
  • Vezë: 0,5 – 1 vezë në ditë
  • Vaj ulliri: 3 -4 lugë supe gjithsej

Suplemente që mund të këshillohen për mbipeshën e tipit mollë: kalcium + magnez + vitaminë D, vaj i mëlçisë së merlucit, omega 3, ekstrakte xhenxhefili dhe Sharan Indie.

Aktiviteti fizik, i tipit ecje e shpejtë, biçikletë ose not, do të ndihmonte ndjeshëm në uljen e barkut.

Aliexpress WW
Summer Trends: Hot Elements & Popular Color Floral, Mesh, Polka Dots, Star & Moon, Tie-dyed, Leopard... More to Explore May 14-June 3

Më të lexuara

Aliexpress WW
To Top